Organizonte transportimin e emigrantëve të paligjshëm, arrestohet në Rinas 34-vjeçari egjiptian

Një 34-vjeçar me shtetësi egjiptiane është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se organizonte transportimin e emigrantëve të paligjshëm, kryesisht shtetas egjiptianë, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.

Arrestimi u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Organizatori”, i finalizuar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, raporton vizionplus.tv, transmeton klankosova.tv.

Sipas Policisë, në pranga ra shtetasi A. H., 34 vjeç, banues në Krujë. Ai u kap në flagrancë në autostradë, pranë Rinasit, teksa transportonte drejt Shkodrës një shtetas egjiptian.

Nga hetimet paraprake rezulton se 34-vjeçari dyshohet se organizonte dhe lehtësonte, kundrejt pagesës, kalimin e paligjshëm të kufijve për shtetas të huaj, kryesisht nga Egjipti, të cilët synonin të mbërrinin në një nga vendet e Bashkimit Evropian. Për të shmangur kontrollet e Policisë, ai i transportonte emigrantët një e nga një.

Gjatë operacionit u sekuestrua edhe telefoni celular i të arrestuarit, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tij kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Latest news
Related news