Mesditën e së mërkurës, më 15 janar, Prokuroria e Shtetit u befasua nga një postim në rrjetin social të Xhelal Sveçlës, i cili prej kohësh luan rolin e prokurorit, zëdhënësit dhe kryepolicit kosovar.
Sveçla, që është në fund të mandatit si Ministër i Brendshëm, në një postim në Facebook njoftoi atë që do të duhej të ishte detyrë e Prokurorisë së Shtetit: mbyllja e disa institucioneve paralele të Serbisë.
Në ditën e pestë të fushatës, përmes një videoje ku pranë tij qëndronte Ministri i Administratës Publike, Elbert Krasniqi, i cili vjen nga radhët e komunitetit rom, Sveçla tha se janë vënë drynat mbi aktivitetin e komunave paralele serbe në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri dhe Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale. Por pak çaste më vonë, Prokuroria e Shtetit njoftoi se veprimi ishte kryer duke tejkaluar institucionin e vetëm përgjegjës që urdhëron Policinë për të kryer hetime dhe mbyllur institucione që bien ndesh me ligjin. Dhe, rrjedhimisht, sipas tyre, Sveçla dhe Krasniqi shkelën Kodin e Procedurës Penale të Shtetit.
“Prokurori i Shtetit nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, për çka edhe nuk është ofruar kurrfarë prove para Prokurorit të Shtetit për të krijuar dyshimin e bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale që bie nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Prokurori i Shtetit, duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara qartë në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës,” deklarohet në reagim.
Pa kaluar dita, një tjetër goditje Prokuroria do të merrte nga një tjetër ministër i kabinetit të Kurtit, këtë herë nga ajo e Drejtësisë, e cila i quajti frikacakë prokurorët e Shtetit. Por kjo histori është një “déjà vu” për partinë në pushtet.
Pikërisht këtë që tha sot Prokuroria e Shtetit, e kishte thënë vetë lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në kohën kur sulmonte Policinë dhe qëndronte në arrati për përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Kurti, veprimin që bëri krahu i tij i fortë, Xhelal Sveçla, 10 vjet më parë e kishte cilësuar arbitraritet.
Kurti ishte përgënjeshtruar atëherë nga Prokuroria, e cila më 13 tetor 2015 e nxori zbuluar atë, duke lëshuar komunikatë për shtyp dhe duke treguar se Kurti u arrestua pikërisht për shkak të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, sipas nenit 356 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ky kod, sipas akuzave të Prokurorisë së Shtetit, u shkel nga të gjitha institucionet që udhëhiqen nga Kurti, përfshirë: Ministrinë e Punëve të Brendshme, që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, Policinë e Kosovës, që drejtohet nga Gazmend Hoxha, Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, Ministrinë e MAPL-së, që drejtohet nga Elbert Krasniqi.
The post Sveçla merr shpatën e drejtësisë, nuk pyet fare Prokurorin e Shtetit (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.



